Pse Kosova renditet e dyta në Ballkan për sanksionet amerikane?
Shtetet e Bashkuara zgjatën për një vit regjimin e sanksioneve, ku në Kosovë figurojnë 29 individë dhe subjekte të ndaluara.
WASHINGTON — Shtetet e Bashkuara kanë zgjatur për një vit mekanizmin ligjor që mundëson vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave më të fundit deri në fillim të qershorit 2026, në listën e zezë amerikane figurojnë gjithsej 131 individë dhe subjekte nga gjashtë shtete të rajonit.
Kosova renditet e dyta në rajon me 29 individë dhe subjekte të sanksionuara, duke mbetur vetëm pas Serbisë, e cila kryeson listën me 49 raste. Pas Kosovës vijnë Bosnje e Hercegovina me 26, Maqedonia e Veriut me 12, Shqipëria me 8 dhe Mali i Zi me 7 subjekte të sanksionuara.
Sanksionet vendosen nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) pranë Departamentit amerikan të Thesarit. Ky mekanizëm synon individët dhe kompanitë e dyshuara për korrupsion, krim të organizuar, destabilizim të rajonit, terrorizëm ose lidhje të drejtpërdrejta me Rusinë.
Në Kosovë, në listën e zezë ndodhen 14 subjekte juridike, ku shumica janë të lidhura me rrjetet e krimit të organizuar në veri të vendit. Këtu përfshihen kompani të lidhura me Zvonko Veselinoviqin dhe Sinisha Nedeljkoviqin, si dhe organizata e mbyllur “Ringjallja e Shoqatës së Trashëgimisë Islame”, e sanksionuar për lidhje me terrorizmin.
Masat amerikane përfshijnë ngrirjen e pasurisë, ndalimin e të gjitha transaksioneve financiare dhe kufizime të tjera strategjike. Këto veprime kanë për qëllim izolimin e plotë të subjekteve që cenojnë sigurinë rajonale dhe sundimin e ligjit në vend.
Burim: Albinfo.ch
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.